Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me komunën e Lipjanit dhe pjesëmarrjen e USAID-it, ka organizuar takimin me bizneset e kësaj komune.
Kryetari i DhTIK-së, Skender Krasniqi, ka thënë se takimet e tilla janë një mundësi e mirë për bizneset që të adresojnë kërkesat e tyre dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë më të shpejtë nga komuna.
Krasniqi ka thënë se përpos bashkëpunimit me nivelin qendror, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka prioritet të madh takimet me komunat, përmes organizimit të “Kafes së mëngjesit”.

Ai ka përmendur sfidat aktuale në të bërit biznes, mungesës së komunikimit mes nivelit qendror dhe shoqatave të bizneseve, nxjerrja e ligjeve që po bien ndesh me ligjet tjera, etj.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se Lipjani është ndër zonat më atraktive për të bërë biznes dhe kjo tregohet për numrin e madh të bizneseve që operojnë në këtë komunë.

Ahmeti ka deklaruar se komuna që e drejton është e fokusuar në avancimin e dialogut me bizneset dhe në zgjidhjen e secilës prej sfidave që ato kanë, gjithmonë duke u bazuar në mundësitë dhe kompetencat që kanë komunat.
Ai ka thënë se Lipjani përmes Asociacionit të Komunave, ka bërë kërkesë tek Agjencia Kosovare e Privatizimit, për bartjen e një numri të pronave që janë brenda qytetit, por se deri më tani nuk ka pasur gatishmëri.
Gjithashtu, ka thënë se komuna është e gatshme për të mbështetur bizneset e shumta që kanë kërkuar qasje në rrjetin e kanalizimit, por se kjo mund të realizohet kur një gatishmëri të ketë edhe komuna e Graçanicës, pasi disa biznese operojnë në kufi mes dy komunave.
Ndërkaq, Jennifer Ober, drejtoreshë e Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës, ka falënderuar Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe Komunën e Lipjanit për këtë organizim, derisa ka dhënë mbështetje edhe për funksionimin e Këshillit Publik-Privat.
Ajo ka përmendur disa projekte me grante për bizneset e vogla, ndërsa ka thënë se USAID-i është i përkushtuar në rritjen ekonomike të Kosovës.
Në këtë takim, bizneset kanë prezantuar sfidat e tyre dhe kanë parashtruar kërkesat që lidhen me kompetencat e komunës, por edhe të nivelit qendror.

Ndërkaq është mbajtur diskutimi mbi sfidat dhe çështjet lidhur me pronën komunale, diskutimi mbi Draft Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Nevojat e sektorit privat për përdorimin e pronës komunale.

Gjithashtu para të pranishmëve, Zana Beqiri, menaxhere e Programeve Ndërkombëtare nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka prezantuar mundësitë që i ofron DhTIK për fondet e BE-së.
