Skip to main content

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, ka pritur në takim përfaqësuesit e JPA Global Law Firm, të udhëhequr nga drejtori Andreas Patsi, së bashku me Vasiliki Papalouka dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së JPA në Kosovë, Refik Jajaga.

Takimi vjen pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes së partneritetit ndërmjet DHTIK dhe JPA Global Law Firm, e cila synon të krijojë mundësi të reja për mbështetjen e bizneseve anëtare në çështjet juridike, biznesore dhe në proceset që lidhen me zhvillimin dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete që ky partneritet mund t’u ofrojë bizneseve anëtare të DHTIK-së, përfshirë qasjen në ekspertizë profesionale, këshillim juridik dhe mbështetje në çështje të rëndësishme për aktivitetin e tyre.

Drejtori Ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se Dhoma po punon vazhdimisht për të zgjeruar rrjetin e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe për ta kthyer këtë bashkëpunim në përfitime konkrete për bizneset.

“Për DHTIK-në, partneritetet kanë vlerë atëherë kur ato sjellin përfitime konkrete për bizneset anëtare. Bashkëpunimi me JPA Global Law Firm është një mundësi për t’u ofruar bizneseve qasje në ekspertizë profesionale dhe mbështetje në çështje juridike dhe biznesore, duke i ndihmuar ato të operojnë dhe të zhvillohen në mënyrë më të sigurt dhe më efikase”, tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, drejtori i JPA Global Law Firm, Andreas Patsi, shprehu gatishmërinë për të avancuar më tej bashkëpunimin me DHTIK-në dhe për të zhvilluar së bashku projekte dhe iniciativa të reja në funksion të komunitetit të biznesit.

Patsi theksoi se JPA është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në iniciativa të përbashkëta dhe se së shpejti do të prezantohen edhe mundësi konkrete të bashkëpunimit për bizneset anëtare të DHTIK.

DHTIK dhe JPA Global Law Firm do të vazhdojnë koordinimin për të identifikuar fusha të reja të bashkëpunimit dhe për të zhvilluar iniciativa që u përgjigjen nevojave konkrete të bizneseve në Kosovë.