Skip to main content

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë

Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, janë pritur në takim nga drejtuesit e kompanisë Hazrolli Group, kompani vendore që merret me prodhimin e dyerve, dritareve, fasadave strukturore dhe produkteve të tjera për ndërtimtari.

Kompania operon në Shirokë të Suharekës dhe ofron produkte që synojnë të përmbushin standardet evropiane të cilësisë dhe efikasitetit energjetik.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet DHTIK-së dhe kompanisë, si dhe për nevojën e rritjes së mbështetjes institucionale për prodhuesit vendorë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së mbrojtjes dhe promovimit të prodhimit

vendor, krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve prodhuese dhe rritjes së konkurrueshmërisë së tyre në treg.

Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit për adresimin e sfidave me të cilat përballen prodhuesit vendorë, si dhe për krijimin e politikave që mbështesin prodhimin, investimet dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori Ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se Dhoma mbetet e përkushtuar që, përmes kontakteve të drejtpërdrejta me bizneset, të identifikojë nevojat e tyre dhe t’i adresojë ato pranë institucioneve përkatëse, me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë.