Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka kënaqësinë të ju njoftoj se biznesi jonë anëtar “Gerti Foods” ka përuruar fabrikën e brumërave e cila është e para e këtij lloji në Evropën Juglindore.
Përgjatë ceremonisë së inaugurimit Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Ismet Mulaj theksoi se “Gerti Foods” do të jetë gjithmonë një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm midis bizneseve lokale dhe ndërkombëtare.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) Skënder Krasniqi i cili ishte i ftuar special në këtë inaugurim potencoi se është një moment i veçantë jo vetëm për themeluesit e kësaj kompanie të re, por edhe për komunitetin dhe ekonominë e vendit tonë. Kryetari Krasniqi theksoi se investimi në “Gerti Foods”, është një dëshmi e fuqisë dhe vullnetit të komunitetit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjithë ne. Ai po ashtu i bëri thirrje qeverisë të punojë më shumë në mënyrë që Kosova të ketë të drejtë të eksportojë produkte me origjinë yndyrore dhe shtazore, pasi mos licencimi i shpejtë do të krijojë pengesa siç ka krijuar deri më tani.
Për më tepër “Gerti Foods” synon që mbi 70 për qind të prodhimit ta eksportojë në vendet e Bashkimit Evropian, duke promovuar kështu jo vetëm produktet tona, por edhe Kosovën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm.
Me teknologjinë më të avancuar “Gerti Foods” nga sot do të prodhoj, 1 mijë e 300 pica të ndryshme për ore, 800 tepsi pite të ndryshme, 3 mijë kroasante, 3 mijë pjekurina, 6000 tortillash si dhe 400 kg bakllava.
Në inaugurimin e fabrikës së “Gerti Foods” nuk munguan as përfaqësues nga niveli lokal dhe ai qendror, ku në mes të tjerëve të pranishëm ishin edhe Drejtori i KIESA z.Zef Dedaj, Kryetari i Komunës së Suharekës z.Bali Muharremaj dhe përfaqësuesi i Shoqatës Esnaf, Varis Xhejlan.