Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mblodhi bizneset e prekura nga Ligji për Pronën Publike, për të diskutuar në lidhje me sfidat dhe pengesat e shumta që ka shkaktuar ky ligj deri më tani.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, ka shprehur shqetësimin për krizën e gjatë institucionale dhe neglizhencën e institucioneve për të gjetur një zgjidhje që do të ndikonte në zhbllokimin e punës së një numri të madh të bizneseve.
Ai ka thënë se me këto veprime po dërgohet porosi negative si për bizneset aktuale ashtu edhe investitorët e interesuar.

Nga ana tjetër, anëtari i Bordit, Idriz Zejnullahu dhe drejtori ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, kanë prezantuar para të pranishmëve aktivitetet dhe angazhimet e shumta të ndërmarra me qëllim të daljes nga rrethi vicioz i krijuar nga ligji.
Bizneset e pranishme falënderuan Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, për angazhimin e pakursyer në tejkalimin e një numri të madh të pengesave të vazhdueshme, të cilat dolën pas vitit 2023.


Në këtë takim janë diskutuar hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmerren, sidomos tani pas konstituimit të institucioneve.

